E ke menduar ndonjëherë se ku duhet ta publikosh podcast-in tënd? A mjafton ta hedhësh në Spotify, Apple Podcasts apo mos ndoshta duhet të jetë në YouTube? Pyetja duket shume e thjeshtë, por përgjigjja është pak më e komplikuar. Mos u shqetëso, sepse jemi këtu për të dhënë përgjigjet e sakta, sa më thjesht.
YouTube
YouTube sot është platforma e dytë më e madhe e kërkimit pas Google. Miliona njerëz çdo ditë i drejtohen jo vetëm për të kaluar kohën, por për t’u informuar ose thjesht për të gjetur një zgjidhje të shpejtë. Nëse dikush kërkon “si të bëj një cheesecake pa nevojën e furrës”, zakonisht nuk lexon një recetë të gjatë, por klikon në një video të shkurtër që i tregon hap pas hapi si ta përgatisë ëmbëlsirën.
Kjo ndodh sepse truri ynë i përpunon pamjet shumë më shpejt se fjalët. E thënë ndryshe, një video shpesh “shpjegon” më shumë se faqe të tëra me tekst. Dhe ky është sekreti që e bën YouTube kaq tërheqës edhe për podcast-e.
Platformat tradicionale të podcast-it
Nga ana tjetër, sigurisht që nuk mund të anashkalojmë platformat klasike si Spotify dhe Apple Podcasts. Megjithatë, nëse flasim për ndikim dhe përdorim më të madh, YouTube vazhdon të kryesojë. Përveçse është një platformë podcast-i, është edhe një motor kërkimi gjigant, ku miliona njerëz hyjnë për çdo temë që mund të imagjinosh. Dhe kjo e bën atë jo thjesht një vend për të dëgjuar, por një hapësirë për t’u zbuluar nga një audiencë shumë më e gjerë.
Çfarë roli luan personaliteti yt?
Mund të duket e çuditshme, por personaliteti yt ka shumë rëndësi.
- Nëse je një ekstrovert që ndihesh mirë para kamerës, YouTube është terreni ideal për të shprehur energjinë dhe karizmën tënde.
- Nëse je më introvert dhe të pëlqen të fokusohesh vetëm te përmbajtja, pa patur nevojë të gjendesh përpara kamerës, platformat audio mund të jenë më të përshtatshme për ty.
Strategjia e ndërthurjes
Shumë njerëz sot po zgjedhin një rrugë të tretë. Pse të mos përfitosh nga të dyja?
- Versioni me video aplikohet në YouTube, për të tërhequr audiencë të re dhe për të ndërtuar lidhje vizuale.
- Versioni audio publikohet në Spotify, Apple Podcasts e të tjera, për dëgjuesit besnikë që duaa të dëgjojnë vetëm zërin.
Kjo mënyrë u jep podcast-eve përdorim të gjerë dhe i përshtatet stileve të ndryshme të konsumimit të përmbajtjes.
Kë do të zgjedhësh?
Pra, a është YouTube platforma më e mirë për podcast? Për disa po, për të tjerë jo. Në fund të fundit, nuk ka një zgjidhje unike, por duhet të zgjedhësh vetëm atë që është më e mira për ty dhe për audiencën tënde. YouTube të jep fuqi vizuale dhe ekspozim të madh, platformat audio të japin prakticitet dhe dëgjues të dedikuar.
Sekreti është të njohësh audiencën tënde, të njohësh veten dhe të zgjedhësh rrugën që e bën mesazhin tënd të dëgjohet dhe të kuptohet sa më qartë.
Nëse do të eksperimentosh, provoje strategjinë hibride. Shpesh herë, kombinimi është mënyra më e zgjuar për të arritur më shumë njerëz dhe për të lënë një ndikim më të madh.


