“AI mode”, veçoria më e re e Google

Nëse e përdor Google çdo ditë për të kërkuar informacion, si unë, ndoshta ke ndjerë që ndonjëherë kërkimi mund të jetë i lodhshëm. Duhet të kalosh nga një faqe në tjetrën, të lexosh shumë tekst, të krahasosh burime dhe të përpiqesh të kuptosh vetë se çfarë është më e vlefshme. Prandaj tani, Google ka sjellë një përditësim që e ndryshon tërësisht këtë eksperiencë, që është “AI Mode”.

Ky funksion i ri e bën kërkimin më të ngjashëm me një bisedë me një asistent inteligjent. Në vend që të marrësh thjesht një listë me linqe, merr një përmbledhje të qartë, të strukturuar dhe të personalizuar, të krijuar nga inteligjenca artificiale. Dhe për mua, kjo ka ndryshuar mënyrën si kërkoj, si mësoj dhe si marr vendime të shpejta. Më lër të ta shpjegoj më poshtë:

Çfarë është “AI Mode”?

“AI Mode” është një veçori e re brenda Google Search që shfaqet zakonisht në krye të faqeve të rezultateve. Kur e aktivizon, Google nuk të jep më vetëm linqe për të klikuar. Në vend të tyre, merr një përmbledhje që shpjegon temën që ke kërkuar, me burime të referuara poshtë.

Për shembull, kur kërkova “Si të përgatitem për një udhëtim në Japoni”, në vend që të më jepte dhjetëra artikuj, “AI Mode” më dha një përmbledhje të qartë me hapat kryesorë që përfshijnë, si të rezervoni për udhëtimin, çfarë të paketoni me vete, sa para të duhen, nëse të duhet sigurimi i jetës, çfarë të bëni e çfarë jo, zakone të mirësjelljes etj. Poshtë përmbledhjes, ishin linqet e burimeve që mund t’i vizitoja për më shumë detaje.

Zakonisht, del diçka e tillë, pra informacione, video në Youtube, shumë linqe etj. Po ta shohësh me vëmendje, tani është shtuar dhe një opsion në cepin e majtë “AI Mode”, si më poshtë:

Interesante apo jo? 👀

Si funksionon në praktikë?

“AI Mode” nuk është thjesht një përmbledhje. Është një mënyrë e re për të bashkëbiseduar me Google. Ja cilat janë disa nga veçoritë që më kanë bërë ta përdor çdo ditë.

1. Bisedë interaktive

Pas kërkimit të parë, mund të vazhdosh bisedën. Mund t’i shkruash AI-së “më jep një shembull konkret” ose “më shpjego më shumë për këtë pjesë” dhe ajo të përgjigjet menjëherë, pa rifreskuar faqen. Për shembull, kur kërkova “strategji për rritjen e ndjekësve në TikTok”, më pas kërkova “më jep një shembull nga një biznes lokal” dhe mora një rast studimi të shkurtër për një dyqan veshjesh që përdorte trende dhe sfida virale për të rritur angazhimin.

2. Ndërfaqe e zgjeruar

“AI Mode” mund të hapet në ekran të plotë, duke e kthyer Google Search në një hapësirë të ngjashme me një aplikacion për biseda me AI. Kjo është veçanërisht e dobishme kur kërkon për tema komplekse si “si të krijosh një funnel shitjesh” apo “si të analizosh performancën e një fushate email marketing”.

3. Burime të referuara

Për çdo përgjigje që merr, poshtë ka linqe që tregojnë nga ka ardhur informacioni. Kjo të ndihmon të verifikosh faktet dhe të lexosh më tej nëse dëshiron.

4. Personalizim

“AI Mode” merr parasysh kërkimet e tua të mëparshme. Nëse ke kërkuar më parë për “strategji email marketing”, dhe më pas kërkon “si të promovoj një produkt të ri”, përgjigja do të lidhet me kontekstin që ke krijuar. Kjo e bën eksperiencën më të natyrshme dhe më të përshtatur për nevojat e tua.

Pse është kaq e rëndësishme?

Ky funksion është një ndryshim i madh në mënyrën si kërkojmë informacion. Google po e bën kërkimin më të shpejtë dhe më të ngjashëm me eksperiencën që ofrojnë platformat si ChatGPT. Në vend që të kalosh nga një faqe në tjetrën, merr një version të përmbledhur dhe të strukturuar të asaj që kërkon.

A është për të gjithë?

Aktualisht, “AI Mode” nuk është i disponueshëm për kërkime në gjuhën shqipe apo në ndonjë gjuhë tjetër. Kjo veçori funksionon vetëm kur kërkimi bëhet në anglisht. Nëse dëshiron ta përdorësh, provo të bësh kërkimin në anglisht dhe sigurohu që është e lidhur me llogarinë tënde Google. Në krye të faqes së rezultateve mund të shfaqet opsioni “AI Overview” nëse veçoria është aktive për ty.

A po e përdorni?

Për mua, “AI Mode” ka sjellë një mënyrë krejtësisht të re për të mësuar, për të marrë vendime dhe për të eksploruar ide. Nuk ka rëndësi nëse je profesionist marketingu, student apo krijues përmbajtjesh (Content Creator), kjo teknologji mund të të ndihmojë të kuptosh më shpejt dhe më thjesht.

more insights

Na Telefononi!

+355 69 601 1166

Adresa

Rruga e Kavajës, Garden Building, 4/1A Tiranë, 1001, Albania

Our Email Address

Call Us!

+355 69 601 1166

Addresa

Rruga e Kavajës, Garden Building, 4/1A Tiranë, 1001, Albania

Pyetësor për Rritjen e Biznesit Tuaj

Na ndihmoni të kuptojmë më mirë biznesin tuaj dhe qëllimet e marketingut, në mënyrë që të krijojmë një strategji të përshtatur për ju.

Informacion i përgjithshëm
Eksperienca dhe pritshmëritë
Strategjitë dhe platformat
Buxheti dhe objektivat
Identiteti i markës